İnci Gündağ
09 Janar 2017•Përditësim: 10 Janar 2017
LONDËR (AA) – Greva 24-orëshe e punonjësve në linjat e metrosë në kryeqytetin britanik Londër, në të cilat çdo ditë udhëtojnë afërsisht katër milionë persona, është duke ndikuar negativIsht në jetën e përditshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Ditën e djeshme në orën 18:00 punonjësit e metrosë së Londrës kanë filluar grevë 24-orëshe në shenjë reagimi kundër sporteleve të biletave në stacione dhe largimet nga puna. Në të gjitha linjat e metrosë janë shfaqur pengesa për shkak të grevës, kurse posaçërisht mbyllja e shumë stacioneve të metrosë në lagjet qendrore kanë shkaktuar në stacionet e tjera të krijohen radhë të gjata.
Londinezët po ashtu kanë ngelur të detyruar të përdorin mjete alternative të transportit për të arritur në vendet e punës. Gjatë grevës e cila ka prekur miliona persona, janë vënë në qarkullim 100 autobusë shtesë në mënyrë që të mos ketë pengesa në transport. Gjithashtu, në stacionet e autobusëve janë vërejtur radhë të gjata, ndërsa vëmendjen ka tërhequr edhe dendshmëria në rrugët e kryeqytetit.
Megjithëse Administrata e Transportit në Londër (TFL) ka deklaruar gatishmërinë për të vazhduar bisedimet me sindikatat në lidhje me mbylljen e sporteleve të biletave në stacione dhe planet për reforma, ajo vazhdon këmbënguljen në realizimin e planeve. Kjo administratë synon që përmes shkurtimeve të realizojë kursime në vlerë prej 50 milionë sterlinash në vit.
Ndërkaq, sindikatat theksojnë se mbi 800 persona do të humbin vendet e punës në kuadër të planeve të TFL-së dhe bëjnë të ditur se do t’i vazhdojnë bisedimet për të gjetur zgjidhje për problemet e shkaktuara nga këto plane. Sindikatat në veçanti thonë se planet e TFL-së për reforma rrezikojnë standardet e sigurisë së metrove.
Në mënyrë që të tejkalohet deficiti buxhetor, qeveria britanike është duke ndërmarrë shkurtime në shumë sektorë, me theks të veçantë sektori publik. Shkurtimet në fjalë me vete kanë sjellë edhe largime nga vendet e punës.
Me përfundimin e grevës në mbrëmje, pritet që ditën e nesërme transporti në metro t’i kthehet normales.