Fatjon Cuka
16 Shtator 2025•Përditësim: 17 Shtator 2025
Në Bruksel është mbajtur Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian (BE), duke u hapur kapituj të rinj për negociatat e anëtarësimit, ndërkohë u theksua se e ardhmja e Shqipërisë është në BE, raporton Anadolu.
Me konferencën e sotme ndërqeveritare janë hapur 4 kapituj të rinj të Grupkapitullit me temë "Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme", ndërkohë delegacioni shqiptar është kryesuar nga Kryeministri Edi Rama.
- Rama: BE-ja është bekim për një vend si Shqipëria
Pas konferencës ndërqeveritare u mbajt konferenca e përbashkët për mediat e Kryeministrit Rama, komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos dhe ministres daneze të Çështjeve Evropiane, Marie Bjerre, vendi i së cilës mban presidencën e radhës të BE-së.
Në konferencën për mediat, Rama theksoi se presin me padurim të çelin grupkapitullin e fundit përpara mbylljes së këtij viti, duke shtuar se ai e di që kjo është shumë ambicioze, por shtoi se është ajo çfarë duan të bëjnë.
"Në e dimë që ka sfida, e dimë që duhen bërë shumë përpjekje, por e dimë që edhe që nuk ka asnjë rrugë tjetër", theksoi Rama.
Rama u shpreh se BE-ja është bekim për një vend si Shqipëria dhe për vende si Shqipëria në rajon. "Përmes BE-së ne mund të marrim të gjithë dijen për të ndërtuar institucionet dhe për të ndërtuar shtetin", tha Rama.
- Komisionerja Kos: E ardhmja e Shqipërisë është në BE
Komisionerja Kos theksoi se ka mbetur dhe një grupkapitull për t'u hapur. Duke theksuar se 91 për qind e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në BE, ajo tha se e ardhmja e Shqipërisë është në BE, dhe shtoi se "nuk ka aspak dyshim për këtë dhe sot jemi një hap më pranë për të arritur ketë objektiv".
"Ky rezultat është rrjedhojë e punës së madhe të autoriteteve shqiptare që kanë çuar përpara reformat përgjatë shumë viteve dhe sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar. Shqipëria po tregon që ndryshimi pozitiv është i mundur dhe se BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv", tha Kos.
Kos shtoi se do të nisin të mbyllin kapitujt sa më shpejt të jetë e mundur që të realizojnë sipas saj ambicien e Shqipërisë për t'i përmbyllur të gjitha brenda vitit 2027.
- "Zgjerimi është një përparësi kyçe për presidencën daneze të BE-së"
Bjerre tha se konferenca e sotme është një hap domethënës për Shqipërinë dhe për BE-në. Ajo shtoi se zgjerimi është bërë një nevojë gjeopolitike dhe se duhet të ecin përpara me zgjerimin sipas saj "për një BE më të fortë dhe më të sigurt". Ajo shtoi gjithashtu se zgjerimi është një përparësi kyçe për presidencën daneze të BE-së.
"Konferenca e sotme dëshmoi se zgjerimi po ecën përpara dhe tregoi se reforma të vërteta sjellin rezultate të vërteta. Shqipëria ka bërë përpjekje të forta përgjatë viteve me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së", tha ajo.
Sipas autoriteteve shqiptare, me konferencën e sotme janë hapur 4 kapituj të rinj, duke e çuar në 28 numrin e kapitujve të hapur deri tani.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014. Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024. Në prill 2025 u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare, duke u hapur kapituj të rinj në negociatat për anëtarësimin. Në maj u mbajt konferenca e pestë ndërqeveritare.
Shqipëria synon të hapë kapitujt e mbetur këtë vit dhe të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërkohë synon anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.