Aysu Biçer
03 Qershor 2022•Përditësim: 03 Qershor 2022
Mbetjet plastike globale pothuajse do të trefishohen deri në vitin 2060, me rreth gjysma e të cilës do të përfundojnë në deponi dhe më pak se një e pesta do të riciklohet, sipas një raporti të ri të publikuar sot, transmeton Anadolu Agency (AA).
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) vlerëson se konsumi global i plastikës do të rritet nga 460 milionë tonë në 2019 në 1.23 miliardë deri në vitin 2060. Si arsye të kësaj thekson "mungesën e politikave të reja të guximshme".
“Rritja do të jetë më e shpejtë në vendet në zhvillim në Afrikë dhe Azi, megjithëse në vitin 2060 vendet anëtare të OECD-së do të vazhdojnë të prodhojnë shumë më tepër mbetje plastike për person (238 kilogramë) në vit mesatarisht sesa vendet jo anëtare të OECD (77 kilogramë)”, thuhet në raport.
Mbetjet plastike pritet të rriten nga 353 milionë tonë në 2019 në 1.01 miliardë në vitin 2060, thuhet në raport, duke shtuar se sasia e plastikës në oqeane, lumenj dhe liqene do të shkojë mbi trefishin e saj.
“Shumica e ndotjes vjen nga mbeturinat më të mëdha të njohura si makroplastikë, por rrjedhjet e mikroplastikës nga sende të tilla si peletat plastike industriale, tekstilet dhe goma janë gjithashtu një shqetësim serioz”, thuhet më tej.
Bota ka nevojë për "veprim shumë më të rreptë dhe të koordinuar globalisht" nëse duam të eliminojmë ndotjen plastike, siç parashikohet nga Asambleja e Mjedisit e OKB-së, tha Mathias Cormann, sekretari i përgjithshëm i OECD-së.
Taksat e plastikës, stimujt për ripërdorimin dhe riparimin e sendeve plastike, përmirësimi i infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve dhe rritja e niveleve të grumbullimit të mbetjeve janë ndër disa nga politikat e rekomanduara për të reduktuar ndikimin e plastikës në mjedis.
“Nëse zbatohen, këto politika specifike mund të luftojnë ndjeshëm dhe madje eliminojnë rrjedhjet e plastikës në mjedis”, shtoi Cormann.