Ekip
29 Nëntor 2019•Përditësim: 29 Nëntor 2019
Mbreti i Marokut, Muhamedi i Gjashtë, bëri thirrje për heqjen e bllokadës së imponuar nga Izraeli ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mbreti maroken këtë deklaratë e ka bërë në një letër drejtuar Niang Cheikh, kryetarit të Komitetit të OKB-së për Zbatimin e të Drejtave të Patjetërsueshme të Popullit Palestinez (CEIRPP), me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.
Ai tha se vazhdimi i bllokadës në Rripin e Gazës do të rrisë gjendjen e dëshpërimit, zhgënjimit dhe paqëndrueshmërisë.
Ai gjithashtu shtoi se më shumë se dy milion palestinezë në Gaza po vuajnë nga një ndëshkim kolektiv, së bashku me pasojat e bllokadës 12-vjeçare izraelite që ka përkeqësuar kushtet e tyre të jetesës.
Mbreti Muhamed bëri thirrje për vendosjen e çështjes palestineze brenda prioriteteve thelbësore të botës dhe tha se zgjidhja dyshtetërore mbetet baza për t'i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez.
Mbreti e ka përfunduar letrën e tij duke u bërë thirrje palestinezëve që të arrijnë një pajtim kombëtar dhe të tejkalojnë ndarjen aktuale politike.