Ömer Faruk Yıldız
18 Mars 2021•Përditësim: 18 Mars 2021
Ish-ministrja e Jashtme dhe udhëheqësja de fakto e Mianmarit, Agung San Suu Kyi, e cila u arrestua si pjesë e puçit ushtarak në vend, u akuzua për ryshfet në gjykatën ushtarake ku po gjykohet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas MRTV-së, organit mediatik të ushtrisë së Mianmarit, Suu Kyi në seancën e sotme u akuzua për pranim të ryshfetit prej 550 mijë dollarësh nga një drejtues i një kompanie ndërtimi në vitin 2018.
Maung Weik, drejtuesi i ndërmarrjes së ndërtimit, i cili mori pjesë në seancë si dëshmitar, deklaroi se Suu Kyi i kishte kërkuar para në mënyrë që projektet e tyre të funksiononin pa probleme.
Suu Kyi nuk u lejua të takohej me avokatët e saj për t’u mbrojtur.
Në paraburgim që nga 1 shkurti, Suu Kyi në seancat e mëparshme u akuzua për shkeljen e ligjeve të importit dhe eksportit, mosrespektimin e ligjit të menaxhimit të fatkeqësive dhe përvetësim.
Zëdhënësi i ushtrisë së Mianmarit, Zaw Min Tun, më 11 mars pretendoi se Suu Kyi ka pranuar afërsisht 600.000 dollarë dhe ar si ryshfet në kohën kur ishte në pushtet.
Grushti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën mbi 200 protestues, ndërkohë që vazhdon burgosja e mbi 1.500 personave të tjerë.
Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.