Ekip
20 Maj 2020•Përditësim: 20 Maj 2020
Ministri i Brendshëm i Libisë, Fathi Bashagha, për krizën aktuale në vendin e tij fajësoi ndërhyrjen e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në çështjet e Libisë dhe mbështetjen për forcat puçiste, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kriza në Libi nuk do të ndodhte po të ndalonit ndërhyrjen tuaj dashakeqe në punët tona të brendshme, mbështetjen për puçistët, dërgimin e armëve dhe nxitje për dhunë përmes mediave tuaja mashtruese", shkroi Bashagha në Twitter.
Ministri Libian iu përgjigj një postimi të ministrit të shtetit të EBA-s për Punë të Jashtme, Anwar Gargash, i cili akuzoi palët ndërluftuese të Libisë për përpjekje për të bërë "përfitime taktike".
Bashagha akuzoi shtetin e Gjirit për shkelje të embargos së armëve nga OKB duke dërguar armë për puçistin Khalifa Haftar.
"Ju keni përdorur mediat tuaja mashtruese, keni korruptuar me para dhe keni shkelur vazhdimisht rezolutat e OKB-së që ndalojnë eksportet e armëve në Libi në përpjekje për të vendosur një diktaturë tjetër në rajon", shkroi ai.
Qeveria Libiane vazhdimisht ka akuzuar EBA-n dhe shtetet e tjera rajonale se mbështesin fushatat ushtarake të Haftarit kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në Tripoli.
Të hënën, ushtria libiane rimori bazën ajrore Al-Watiya mbajtur nën pushtuar nga milicitë e Haftarit për 6 vjet.
Masa erdhi pasi ushtria libiane shkatërroi tre sisteme të mbrojtjes ajrore të tipit Pantsir të prodhuar nga Rusia të përdorura nga forcat e Haftarit të cilat gjithashtu furnizoheshin nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Qeveria ka qenë nën sulme nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit 2019 dhe më shumë se një mijë njerëz janë vrarë gjatë dhunës. Ajo filloi operacionin më 26 mars për të kundërshtuar sulmet ndaj kryeqytetit.
Pas rrëzimit të sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011, qeveria e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.