Emre Gürkan Abay
07 Shkurt 2019•Përditësim: 07 Shkurt 2019
MOSKOVA (AA) - Ndërhyrja e mundshme ushtarake ndaj Venezuelës do të ishte "skenari më i keq" dhe një gjë e tillë do të shkaktonte katastrofë, paralajmëroi zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Ryabkov, raporton Anadolu Agency (AA).
"Shohim se vendet e rajonit kanë rritur kontaktet me vendet të cilat duan të kenë ndikim në Venezuelë dhe përreth saj", tha Ryabkov në një konferencë shtypi në Moskë.
Ndërhyrja e mundshme ushtarake në Venezuelë është "skenari më i keq" dhe është vështirë të parashihen pasojat e saj, theksoi diplomati rus.
"Gjaku që do të derdhet dhe ngjarjet që do të ndodhin do të përhapen edhe në vende të tjera jashtë Venezuelës. Ne alarmojmë kundër një iniciative të këtillë aventureske. Një ndërhyrje e tillë do të shkaktojë katastrofë", theksoi Ryabkov.
Venezuela është tronditur nga protesta që nga 10 janari, kur presidenti Nicolas Maduro u betua për mandatin e dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.
Tensionet u rritën kur Guaido shpalli veten presidentin në detyrë më 23 janar, hap që menjëherë u njoh nga SHBA.
Maduro akuzon SHBA-në për orkestrimin e një "grushti shteti" kundër qeverisë së tij, duke këmbëngulur se ai është i hapur për dialog me opozitën e Venezuelës.
Washingtoni ka udhëhequr një fushatë ndërkombëtare për të ushtruar presion ekonomik dhe diplomatik mbi Maduron, përfshirë vendosjen e sanksioneve mbi kompaninë shtetërore të naftës në vend.
Rusia, Kina, Turqia dhe Irani kanë shprehur përkrahjen e tyre për Maduron.
Një numër i vendeve evropiane, përfshirë Britaninë, Francën, Spanjën dhe Gjermaninë, janë bashkuar me SHBA-në në njohjen e Guaidos, së bashku me Kanadanë dhe disa shtete të Amerikës Latine.