Abdula Berisha
19 Nëntor 2024•Përditësim: 20 Nëntor 2024
Një balenë "fin" (Balaenoptera physalus) 15 metra e gjatë, e klasifikuar si specie e rrezikuar sipas Ligjit të Specieve të Rrezikuara të SHBA-së, doli në breg përgjatë shtegut bregdetar Tony Knowles në Anchorage të Alaskës, raporton Anadolu.
Balena doli në breg gjatë fundjavës, duke tërhequr qindra vizitorë dhe duke ndezur një hetim për shkakun e vdekjes së saj.
Kufoma masive e balenës, e shtrirë dhe me gojën e saj të hapur, u bë një atraksion i përkohshëm për vendasit.
Dje në mëngjes, dhjetëra njerëz u përballën me temperaturat e ftohta për të parë mbetjet e mbuluara nga ngrica që pushonin në baltën e ngrirë pranë Lagunës Westchester. Disa persona madje iu afruan shumë balenës për të bërë foto, duke bërë që autoritetet të lëshonin paralajmërime sigurie.
Biologët nga Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) e kanë siguruar balenën e ngordhur në tokë për të parandaluar që ajo të mos merret në det nga dallgët. Zyrtarët e NOAA-s planifikojnë të hetojnë shkaqet e mundshme të vdekjes dhe çdo ndikim në ekosistemin detar lokal.
"Balaenoptera physalus" janë balena të njohura për migrimet e tyre të gjata, duke kaluar verën në ujërat veriore, përfshirë Detin Chukchi. Si një nga speciet më të shpejta të balenave, ato shpesh quhen "zagarët e detit".