Ekip
19 Maj 2023•Përditësim: 19 Maj 2023
Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës (SNBO) njoftoi se presidenti Volodymyr Zelenskyy do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të G7-ës përmes video-konferencës, i cili do të mbahet më 19-21 maj në Hiroshima të Japonisë, transmeton Anadolu.
Në deklaratën nga Shërbimi për media i SNBO-së thuhet se Zelenskyy do të marrë pjesë online në Samitin e Liderëve të G7.
Sekretari i SNBO-së, Oleksii Danilov në fjalimin e tij në një program televiziv lokal tha se Zelenskyy do të marrë pjesë në Samitin e G7. "Ne besojmë se presidenti ynë do të jetë aty ku duhet, kudo që të jetë në botë, për të adresuar çështjet e qëndrueshmërisë së vendit tonë", tha ai.
Sipas tij, në samit do të merren vendime të rëndësishme. "Për këtë arsye, është absolutisht e rëndësishme që presidenti ynë personalisht të jetë i pranishëm për të mbrojtur plotësisht interesat tona dhe për të paraqitur sugjerime dhe argumente të qarta për ngjarjet që po ndodhin në territorin e vendit tonë", tha Danilov.