Bekim Laci
02 maj 2018•Përditësim: 02 maj 2018
SHKUP (AA) - Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ka rrumbullakuar vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për fund në Shtëpinë e Bardhë takoi drejtorin për Çështje Evropiane në Këshillin për Siguri Kombëtare, William Barkley, dhe në Departamentin e Shtetit u prit nga Tina Кајdanow, ndihmës sekretare për Çështje Ushtarake dhe Politike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e kabinetit të Shekerinskës thuhet se në takimet e lartpërmendura palët kanë bisduar për proceset reformuese në Maqedoni por edhe për kontributin e vendit për sigurinë globale, ku është ripërsëritur përcaktimi i qytetarëve dhe partive politike për anëtarësim në NATO.
"Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, nuk është një sukses vetëm i vendit tonë, por edhe i SHBA-ve dhe NATO-s në përgjithësi, pasi do të ketë një ndikim të madh mbi stabilitetin dhe sigurinë në rajon", ka thënë Shekerinska.
Drejtori për Çështje Evropiane në Këshillin për Siguri Kombëtare, William Barkley, nga ana e tij theksoi se SHBA ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet në Maqedoni, për të shtuar se Shtëpia e Bardhë është një aleate e Maqedonisë.
Ai tha se aftësia e qeverisë për të përmbushur reformat dhe të zgjidh problemet përmës negociatave është një argument shtesë për suksesin e vendit, ndërkohë që tha se suksesi i Maqeonisë për të marrë një ftesë për anëtarësim në NATO do të jetë shembull që do të ndikojë në zhvillimin edhe të shteteve tjera të rajonit.
Tina Kajdanow nga Departamenti i Shtetit tha se është i dukshëm ndryshimi në shtet, vetëm një vit pas krizës politike.
“Maqedonia është një partnere e rëndësishme e SHBA-ve dhe kështu do të mbetet. E keni përkrahjen tonë për zgjidhjen e sfidave në rrugën drejt NATO-s, sepse anëtarësimi i Maqedonisë është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit”, tha ajo.
Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Shekerinska nga dita e premte qëndroi për vizitë zyrtare në SHBA, ku u takua me Sekretarim amerikan të Mbrojtjes James N. Mattis, zv/ndihmësen e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper si dhe zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit.