Dildar Baykan
13 Nëntor 2019•Përditësim: 13 Nëntor 2019
Në SHBA sot fillojnë seancat dëgjimore publike në hetimin për shkarkimin e presidentit amerikan Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një periudhë e re po fillon në hetimin për shkarkimin e Trumpit, i cili filloi në shtator dhe i cili deri më tani është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Në kuadër të seancave dëgjimore publike sot do të dëshmojnë ish-ambasadori amerikan në Ukrainë gjatë viteve 2006-2009, William Taylor dhe zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, George Kent.
Marie Yovanovitch e cila ka ushtruar postin e ambasadores së SHBA-ve në Kiev deri në muajin maj, do të flasë rreth çështjes në seancën dëgjimore publike që do të zhvillohet të premten.
- Janë përcaktuar edhe emrat e javës së ardhshme
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të cilët zhvillojnë hetimin kanë bërë të ditur edhe emrat që do të japin deklaratat e tyre në seancat dëgjimore publike javën e ardhshme.
Sipas kësaj, Jennifer Williams një nga ndihmëset e zv.presidentit amerikan Mike Pence dhe zyrtari i lartë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Alexander Vindman, përfaqësuesi special i SHBA-ve për Ukrainën, Kurt Volker si dhe zyrtari i Këshillit të Sigurisë, Tim Morrison do të dëshmojnë të martën ndërsa të mërkurën ish-ambasadori amerikan për Bashkimin Evropian, Gordon Sondland dhe nënsekretari i Departamentit të Shtetit, David Hale.
Në seancën që do të mbahet të enjten që është edhe dita e fundit e seancave dëgjimore publike në kuadër të hetimit për shkarkim do të dëshmojë edhe ekspertja e Shtëpisë së Bardhë për Rusinë, Fiona Hill.
- Hetimi për shkarkimin e Trumpit
Gjatë një bisede telefonike në korrik ishte pretenduar se Trump i ka vendosur presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, si kusht hetimin e Bidenit dhe familjes së tij në mënyrë që SHBA të ndihmojë Ukrainën.
Pas zbulimit të këtij pretendimi demokratët reaguan duke nisur hetimin për shkarkimin e Trumpit.
Por, Trump ka mbrojtur idenë e tij se biseda me Zelenskyn ka qenë në përputhje me procedurat, ndërkohë që para bisedës telefonike ai ka bërë të ditur pezullimin e ndihmave financiare dhe ushtarake prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën.
Më pas Shtëpia e Bardhë publikoi transkriptin e bisedës telefonike duke thënë se nuk ka asnjë lidhje mes ndihmës dhe bisedës.
Dhoma e Përfaqësuesve me një votim që zhvilloi javën e kaluar përcaktoi rregullat e hetimit dhe vendosi që të zhvillohen seancat dëgjomore publike.