Ekip
01 Tetor 2017•Përditësim: 02 Tetor 2017
ANKARA (AA) - Turqia të shtunën hapi akademinë më të madhe të stërvitjes ushtarake jashtë shtetit, në kryeqytetin somalez, Mogadishu, raporton Anadolu Agency (AA).
Akademia u përurua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Turqisë, Hulusi Akar dhe kryeministri somalez Hassan Ali Khaire, në një ceremoni të mbajtur në objektin e trajnimit.
Zyrtarë të lartë somalezë, diplomatë turq dhe të huaj morën pjesë në ceremoninë e mbajtur nën masa të larta të sigurisë.
"Qeveria ime dhe populli ynë somalez nuk do të harrojnë këtë ndihmë të madhe nga vëllezërit tanë turq. Kjo akademi do të na ndihmojë të trajnojmë më shumë trupa", tha Khaire, në ceremoninë e inaugurimit.
Nga ana e tij, Hulusi Akar tha se qeveria turke do të "vazhdojë të mbështesë vëllezërit tanë somalezë derisa vendi i tyre të bëhet ushtarakisht më i fortë".
I vendosur në jug të Mogadishut, objekti i trajnimit ishte në ndërtim e sipër në dy vitet e fundit.
Sipas qeverisë somaleze, objekti është i vendosur në 4 kilometra katrorë dhe ka kapacitet për të trajnuar më shumë se 1,500 trupa në të njëjtën kohë.