Şenhan Bolelli
01 Tetor 2017•Përditësim: 01 Tetor 2017
MADRID (AA) - Numri i të plagosurve gjatë ndërhyrjes së policisë dhe xhandarmërisë së Spanjës kundër referendumit të paligjshëm për pavarësinë në Katalonjë është rritur në 337, raporton Anadolu Agency (AA).
Vazhdon ndërhyrja e policisë në Katalonjë, ku tensionet mes mbështetësve të pavarësisë dhe forcave të sigurisë të cilët janë duke mbledhur kutitë dhe fletëvotimet, kohë pas kohe shndërrohen në dhunë.
Kryetari i Qeverisë Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, arriti ta vizitojë qendrën e votimit në qarkun Saint Julia de Ramis të qytetit Gironi, pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë.
"Shteti spanjoll, shfaqi një imazh i cili e tejkaloi kufirin e turpit që do të vazhdojë përgjithmonë. Katalonasve që erdhën në mënyrë paqësore të votojnë iu përgjigj me shkop polici, plumba plastike dhe dhunë", tha Puigdemont, i cili ishte pritur me duartrokitje nga mbështetësit e pavarësisë.
Ai duke treguar se referendumi i pavarësisë vazhdon të ruaj vlefshmërinë dhe se vazhdon procesi i votimit, tha se "Shteti spanjoll sot humbi më shumë sesa kishte humbur deri më tani. Ndërsa Katalonja sot fitoi më shumë sesa kishte fituar".
Ndërkohë, Jordi Turull, zëdhënësi i Qeverisë Autonome të Katalonjës, ka kërkuar dorëheqjen e Prefektit të Katalonjës së qeverisë spanjolle, Enric Millo.
Gjithashtu edhe prokuroria ka filluar procedurë penale për policinë lokale të Katalonjës (Mossos D'Esquadra) me arsye se ka mbetur pasive në ndërhyrjen për referendumin e paligjshëm pavarësisht udhëzimit të gjykatës.
Kryebashkiakja e Barcelonës thirrje kryeministrit të Spanjës të dorëhiqet
Kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau, i ka bërë thirrje kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy, që të largohet nga detyra për shkak të dhunës policore gjatë referendumit të ndaluar për pavarësinë e Katalonjës.Kryebashkiakja e Barcelonës thirrje kryeministrit të Spanjës të dorëhiqet
Colau tha se “nëse do të kishte demokraci, aksioni policor do të ndalej menjëherë, ndërsa më vonë do të kishim dialog, i cili neve na nevojitet".
Ajo duhej të votonte në një shkollë të mesme, por e kishte të pamundur meqë policia bllokoi hyrjen në vendvotimin e kësaj shkolle.
Colau mbështet votimin e referendumit si "shprehje të vullnetit politik katalonas"
“Rajoy duhet të japë dorëheqje pasi nuk arriti të merrte përgjegjësi politike”, tha Colau. Ajo trazirat të dielën në Katalonjë i quajti “plasaritje” në Qeverinë e Rajoy-t.