Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
30 Mars 2022•Përditësim: 31 Mars 2022
Derisa lufta mes Rusisë dhe Ukrainës hyn në ditën e saj të 35-të, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko sot hodhi poshtë raportet për tërheqjen e forcave ruse nga kryeqyteti, duke nënvizuar se luftimet janë për të siguruar vendin e ardhshëm të Ukrainës me 'familjen evropiane', raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim virtual në Grupin e Punës të BE-së për Ukrainën, kryebashkiaku i Kievit, Klitschko tha se sirenat alarmuan gjithë natën dhe se "shpërthime të mëdha" u dëgjuan nga lindja dhe veriu i kryeqytetit një ditë më parë ndërsa "betejat po vazhdojnë" në rajon.
Ai tha se lufta ka të bëjë me dëshirën e Ukrainës për të qenë e pavarur dhe pjesë e "familjes evropiane" dhe botës demokratike.
"Ushtarët rusë po luftojnë për para dhe paguhen shumë mirë. Por, ne (Ukraina) luftojmë dhe mbrojmë familjet, fëmijët, të ardhmen tonë. Ne po luftojmë gjithashtu për secilin prej jush sepse kemi të njëjtat parime të Bashkimit Evropian", tha ai.
Klitschko nënvizoi se vendi i tij nuk "e kupton pozicionin e disa politikanëve në Evropë", të cilin ai e përshkroi si "gjysmë shtatzënë".
"Nga njëra anë, janë kundër luftës. Nga ana tjetër, ata ende komunikojnë me Rusinë", tha ai, duke theksuar se ndërsa sanksionet e BE-së kundër Rusisë janë efektive, të gjitha lidhjet e biznesit duhet të ndërpriten me Rusinë pasi paratë ruse janë njollosur me "gjakun e popullit ukrainas”.
"Tani për tani, bota është bardh e zi. Dhe ju ose mbështesni lirinë, parimet, vlerat dhe paqen në Ukrainë ose mbështesni agresivitetin e Federatës Ruse", tha Klitschko.
Forcat ukrainase nuk po mbrojnë vetëm vendin dhe qytetet e tyre, kryebashkiaku i Kievit tha se ata po mbrojnë "parimet evropiane".
Kryetari i Bashkisë së Lviv-it në Ukrainën perëndimore, Andriy Sadovyi tha se që nga fillimi i luftës, të paktën 145 fëmijë kanë humbur jetën.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, me BE-në, SHBA-ne dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, duke zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.