Haydar Hadi
03 nëntor 2016•Përditësim: 03 nëntor 2016
MOSUL (AA) - Njoftohet se forcat e lidhura me ushtrinë e Irakut kanë hyrë në lagjen Intisar pranë qendrës së qytetit Mosul, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga komandanti i operacioneve Ninova Abdulemir Reshid Yar Allah thuhet se "Njësia 9 e autoblindave dhe forcat e brigadës së 3-të të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Ushtrisë kanë hyrë në lagjen Intisar, në verilindje të qytetit Mosul".
Yar Allah është shprehur se "kjo lagje është lagja e parë që ndodhet në verilindje të Mosulit dhe gjithashtu vazhdon përparimi drejt qendrës së qytetit".
Ndër të tjera bëhet e ditur se vazhdon që prej 18 ditësh operacioni për çlirimin e Mosulit nga organizata terroriste DEASH. Ky operacion është ndërmarrë nga ushtria e Irakut, forcat policore, forcat Peshmerge të Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut dhe nga forcat e koalicionit ndërkombëtar të cilët ofrojnë mbështetje ajrore.
Organizata terroriste DEASH pati marrë nën kontroll qytetin në qershor të vitit 2014 pas tërheqjes së forcave të ushtrisë nga rajoni.