Ekip
02 Prill 2021•Përditësim: 02 Prill 2021
Të paktën 3 refugjatë Rohingya e kanë humbur jetën dhe shtatë dyqane u dogjën kur një zjarr shpërtheu herët në mëngjes në tregun e kampit të refugjatëve Kutupalong në rrethin jugor Cox's Bazar të Bangladeshit, në incidentin e dytë të tillë brenda 10 ditëve të fundit, raporton Anadolu Agency (AA) .
"Kemi nxjerrë 3 trupa nga brenda dyqaneve të zbrazura", tha për AA, Md Abdullah, zëvendës ndihmës drejtori i Shërbimit zjarrfikës dhe Mbrojtjes Civile në Cox's Bazar.
Zjarri thuhet se ndodhi rreth orës 3:30 të mëngjesit sipas kohës lokale dhe u vu nën kontroll brenda një ore nga pjesëtarët e shërbimit lokal të zjarrit dhe banorët Rohingya.
Identiteti i viktimave ende është i panjohur ndërsa autoritetet aktualisht po hetojnë incidentin.
"Tashmë ia kemi dorëzuar trupat policisë për të vazhduar me autopsinë", tha Abdullah, duke shtuar që të tre të vdekurit janë meshkuj dhe janë identifikuar kryesisht si punëtorë në dyqane.
Ai tha se autoritetet tani janë shumë vigjilentë pas zjarrit të fundit masiv në kampe në mënyrë që në rast se shpërthen një, ata të mund të kontrollojnë menjëherë përhapjen e flakës.
Zjarri vdekjeprurës më 22 mars zhduki më shumë se 10 mijë çadra në vendbanimin më të madh të refugjatëve në botë, të vendosur në Bangladesh, duke lënë të paktën 15 të vdekur dhe më shumë se 550 të plagosur, sipas një raporti të OKB-së.
Së paku 45 mijë Rohingya po ashtu u zhvendosën për brenda pas zjarrit, i cili shkatërroi gjithashtu dyqane, qendra mësimore, një spital turk, klinika shëndetësore dhe vendbanime të tjera zyrtare.
Më shumë se 1.2 milionë Rohingya të cilët kryesisht u arratisën nga shtypja brutale ushtarake në shtetin Rakhine të Mianmarit në gusht të vitit 2017, janë aktualisht duke jetuar në kampe të improvizuara në Bangladesh.