Buka "Patir" e Uzbekistanit nuk mungon në sofrat e iftarit
Banorët e vendit preferojnë bukën "patir", e cila zakonisht përgatitet duke shtuar gjalpë ose yndyrë bishti dhe qumësht, në raste të veçanta si dasma dhe Ramazani

Tashkent
Buka "Patir", e quajtur "gojëhapëse" në Uzbekistan dhe e gatuar në furrën tandorë që përzihet me gjalpë dhe qumësht, është ndër artikujt e domosdoshëm të tryezave të iftarit gjatë Ramazanit, raporton Anadolu.
Kjo bukë, e cila ka vend të veçantë në jetën e përditshme në Uzbekistan, ka më shumë se 50 lloje në varësi të përbërësve të përdorur, mënyrës së përgatitjes dhe rajonit. Banorët e vendit preferojnë bukën "patir", e cila zakonisht përgatitet duke shtuar gjalpë ose yndyrë bishti dhe qumësht, në raste të veçanta si dasma dhe Ramazani.
Sipas mënyrës së përgatitjes buka "patir" ka llojet që quhen "navvay", "kazan", "katlama", "gijdali", "shirmay", "abı", "lajira", "külçe", ndërsa në bazë të përbërësve të shtuar bukë me qepë, me mish, bisht, arrë, vaj, qumësht, susam dhe në varësi të rajonit ku prodhohet, ekzistojnë varietete të tilla si buka Samarkand, Bukhara, Kokand, Zamin dhe Khwarezm.
Në vend ka "tregje buke" ku shitet veçanërisht buka dhe në këto tregje tërheq vëmendje të madhe buka e "patirit" e gatuar në tandorë me dru dhe qymyr. Buka e quajtur "nan" nga uzbekët, nëpër shtëpi piqet nga gratë dhe në furrat e bukës ku janë vendosur tandorë të mëdhenj përgatitet nga burrat.
Mjeshtrit e bukës të cilët vendasit i quajnë "navvay" që në orët e para të mëngjesit nisin përgatitjet për të pjekur bukë dhe buka e parë e ditës është gati pa lindur dielli. Uzbekët preferojnë bukë të ngrohtë, të sapopjekur nga tandorë për të gjitha vaktet, përfshirë mëngjesin.
Në të gjitha tregjet anembanë vendit ka vende të veçanta ku shiten lloje të ndryshme buke ndërsa njerëzit mund të dallojnë bukën e pjekur nga secili shef kuzhine nga modelet në të. Gjatë Ramazanit, uzbekët preferojnë zakonisht bukën "patir", e cila përgatitet duke shtuar gjalpë ose yndyrë bishti dhe qumësht.
Aziz Akbarov, i cili shet bukë në një treg në Tashkent tha për Anadolu se ka shumë vite që shet bukë në treg dhe se bukët përgatiten nga mjeshtër të ndryshëm dhe me metoda të ndryshme. "Njerëzit preferojnë bukë shumë të ndryshme sipas mundësive dhe shijeve të tyre, dhe të gjitha llojet e bukës që shes kanë klientët e tyre", tha Akbarov duke shtuar se ai ka më shumë se 50 lloje buke në banakun e tij.
Ai më tej tha se njerëzit në përgjithësi preferojnë më shumë bukën "patir" gjatë Ramazanit dhe vuri në dukje se ajo tërheq vëmendjen e qytetarëve për shkak të shijes së saj të shijshme.
- Uzbekët gjithmonë e respektojnë bukën
Uzbekët tregojnë gjithmonë respekt të madh për bukën, e cila ka vend të veçantë në jetën e tyre të përditshme dhe i mësojnë fëmijët e tyre ta respektojnë atë që në moshë të vogël.
Përveç konsumit të përditshëm, uzbekët përgatisin bukë speciale për raste të veçanta, për të ftuarit dhe ata që do të shkojnë në shërbimin ushtarak, ndërkohë që i mirëpresin dhe i përcjellin mysafirët e tyre me bukë.
Uzbekët i vendosin bukë nën jastëk fëmijës së tyre që fle vetëm në dhomë, duke besuar se në këtë mënyrë fëmija nuk do të mbetet vetëm dhe se nuk do t'i ndodhë asnjë e keqe.
Në kopshtet e shtëpive nëpër fshatra të Uzbekistanit janë të pranishëm furrat tandorë. Po ashtu të ndryshme janë edhe modelet e bukës që bën çdo shtëpi në fshat. Edhe në ditët e sotme, nëpër fshatra fqinjët që pjekin bukën e re, vazhdojnë traditën që i japin njëri-tjetrit bukë të freskët.
Ndërkohë që ka edhe një lloj buke që prodhohet vetëm në Samarkand. Shija e kësaj buke ka shkuar përtej kufijve të vendit. Buka e Samarkandit, receta dhe përgatitja e së cilës kalon nga babai te djali, bëhet nga burrat e familjes.
Këto bukë janë shumë të shijshme, rezistente dhe mund të ruhen për më shumë se një muaj pa u prishur. Uzbekët thonë se buka e Samarkandit e përgatitur në rajone të tjera nuk është aq e shijshme dhe rezistente sa ajo në Samarkand.