Cem Genco
23 Janar 2016•Përditësim: 24 Janar 2016
HATAJ (AA) - Barah Izahi, e cila ka humbur dy shoqet e saj si pasojë e një bombe fuçi të hedhur në shkollën e tyre në qytetin Hama të Sirisë, krahas fletores që ajo ka ruajtur në përkujtim të tyre ajo gjithashtu mban gjallë kujtimin e tyre edhe në muret e shtëpisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Vajza siriane 12 vjeçare e familjes Izahi e cila me 7 persona erdhi 4.5 vite më parë në rajonin Reyhanlı të qytetit Hataj të Turqisë nuk i harron përjetimet në luftën civile të ndodhur në vendin e saj. Barah e cila arriti të shpëtojë nga sulmi i ndërmarrë me bomba fuçi ndaj shkollës së saj ka humbur dy shoqet e bankës Nur dhe Ahlem.
Ajo nuk mund ti harrojë shoqet e saj dhe në një intervistë për gazetarin e AA-së tha se nga ato i ka mbetur vetëm fletorja të cilën pikturonin dhe mbanin në përdorim të përbashkët.
"Lufta civile më ka marrë të gjithë ata që unë i dua. Dhimbja më e madhe që unë kam janë shoqet e mia Nur dhe Ahlem të cilat i kam humbur në sulmin me bombë fuçi ndaj shkollës sonë. Me ato pikturonim në një fletore të përbashkët. Në çdo javë fletorja qëndronte tek njëra prej nesh. Në ditët kur fletorja ndodhej tek unë në shkollë ndodhi sulmi dhe humba shoqet. Jam shumë e mërzitur dhe në përkujtim të tyre këtë fletore do ta mbaj gjithmonë me vete. Ndërsa tani në murin e shtëpisë ku unë jetoj kam pikturuar fotografi që përfaqësojnë ato".
Barah Izahi e cila një pjesë të madhe të ditës e kalon me vëllezërit e saj, është në klasën e 5-të në një shkollë të hapur për ta në rajonin Reyhanlı.