Besar Ademi
23 Shtator 2016•Përditësim: 24 Shtator 2016
SHKUP (AA) – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski, priti në një takim ambasadorin e sapoemëruar të Greqisë në Maqedoni, Dimitris Yannakakis, të cilët shprehën shpresën për bashkëpunim të suksesshëm në të ardhmen, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton kabineti i kryetarit Veljanoski, kryeparlamentari i Maqedonisë njoftoi ambasadorin e sapoemëruar grek në lidhje me takimin e fundit bilateral me kryetarin e Kuvendit të Greqisë, Nikolaos Voutsis, e cila u realizua në kuadër të Konferencës evropiane të kryeparlamentarëve në Strasburg.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se ka një progres të madh në përmirësimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Greqisë, për të cilën dëshmojnë edhe takimet e shpeshta të nivelit të lartë mes zyrtarëve të dy qeverive. Veljanoski theksoi se për të ardhmen qëndron në dispozicion thellimi i bashkëpunimit parlamentar, i cili do të ndihmojë në ndërtimin e marrëdhënieve më të mira të përgjithshme mes dy vendeve, si dhe do të kontribuojë në rritjen e besimit mes dy vendeve.
Bashkëbiseduesit theksuan se Maqedonia dhe Greqia kanë shumë fusha të përbashkëta të interesit që mund të bashkëpunojnë për shfrytëzimin maksimal të fondeve të BE-së dhe përmirësimin e situatës ekonomike në të dy vendet.
Poashtu, kryeparlamentari maqedonas dhe ambasadori grek diskutuan për situatën aktuale politike në të dy vendet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen në trajtimin e krizës së emigrantëve. Veljanoski theksoi nevojën për një përgjigje të përbashkët me qëllim për të mbajtur këtë barrë në mënyrë të barabartë.
Në fund të takimit, Veljanoski ambasadorit Yannakakis i uroi sukses në mandatin e tij të ri dhe dëshirë për të treguar përshtypje të mira nga Maqedonia.