Besar Ademi
10 Tetor 2016•Përditësim: 11 Tetor 2016
SHKUP (AA) – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski, në akademinë solemne të mbajtur me rastin e 75 vjetorit të Ditës së kryengritjes popullore – 11 Tetorit, deklaroi se në këtë ditë është fituar një nga betejat e fundit më të mëdha historike të popullit të Maqedonisë në rrugën drejt lirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Veljanoski në adresimin e tij para të pranishmëve, apeloi për promovim të unitetit mes partive politike në vend dhe për të nxitur zhvillimin e Maqedonisë. Ai shtoi se çmimi që u pagua për lirinë ishte shumë i madh dhe për këtë arsye shtetësia e fituar duhet të ruhet dhe të avancohen gjërat në përgjithësi, ndërsa me mungesë të unitetit, siç tha ai, gjithçka do të jetë më vështirë.
“Uniteti i tillë, siç duket gjithnjë e më rëndë është i realizueshëm. Thellë të ngujuar në taboret e tyre, siç duket po harrohet se të gjitha partitë politike, në bazë kanë një qëllim të njëjtë fisnik. Megjithatë, pavarësisht gjendjes së tillë tragjike e cila po zgjat, unë jam optimist se në fund tërë shteti do të dalë më i pasur për një përvojë, por edhe më unik”, deklaroi Veljanoski.
Ai shtoi se Maqedonia do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian.“Ky ideal i barazisë dhe bashkimit me vendet evropiane, pavarësisht historisë shekullore të përgjakshme të këtij kontinenti të vjetër, patjetër duhet të mbijetojë dhe të tejkalojë vështirësitë me të cilat është duke u përballur”, u shpreh Veljanoski.
Veljanoski theksoi se Kuvendi ka qenë dhe do të jetë arenë ku do të këmbëjmë ide në frymën e konstruktivitetit dhe do të mbetet institucion ku dominojnë vlerat e përbashkëta.
“Nën një kulm dhe në të ardhmen duhet të vazhdojmë të luftojmë të gjithë për një qëllim të shenjtë. Edhe pushteti, edhe opozita, edhe maqedonasit, edhe shqiptarë, turqit, romët boshnjakët, serbët, vllehët dhe të gjithë të tjerët”, u shpreh Veljanoski.
Pas akademisë solemne u bë edhe hapja solemne e Sallës së madhe të Kuvendit, ku morën pjesë krerët shtetërorë, deputetë dhe ministra nga përbërja e Kuvendit të Maqedonisë, kori diplomatik, si dhe përfaqësues të të gjitha fushave të jetës politike, kulturore, shkencore dhe ekonomike.