Besar Ademi
17 Tetor 2016•Përditësim: 18 Tetor 2016
SHKUP (AA) – Në praninë e 116 deputetëve, me 110 “pro” dhe asnjë “kundër” Kuvendi i Republikës së Maqedonisë solli vendimin për shpërbërjen e tij. Ky vendim vjen si pasojë e Marrëveshjes së Përzhinos me anë të së cilës shpërbërja e Kuvendit është dakorduar për të hyrë në fuqi 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që duhet të mbahen më 11 dhjetor 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Propozimi për shpërndarjen e Kuvendit u propozua nga opozita maqedonase, Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM), e cila shpjegoi se ky vendim është në pajtim me Marrëveshjen e Përzhinos dhe është në interes të zgjidhjes së krizës politike.
Ndërsa, partia në pushtet, VMRO-DPMNE, mbështetjen për shpërndarjen e Kuvendit e kushtëzoi me miratimin paraprak të buxhetit për vitit 2017, që u miratua më herët me 72 vota “pro” dhe 37 “kundër”. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 187,612 miliardë denarëve. Shpenzimet janë në nivel prej 2016,219 miliardë denarëve apo për 4,5 për qind më shumë në krahasim me këtë vit. Deficiti buxhetor është paraparë të paraqesë 3 për qind të BPV-së, përkatësisht 18,6 miliardë denarë.
Koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, porositi që anëtarët e përbërjes së re të Kuvendit të vazhdojnë të ndërtojnë Maqedoninë dhe të ruajnë atë ashtu siç kanë luftuar deri më tani brezat e Maqedonisë.
“50 ditët e ardhshme, si asnjëherë më parë, do të jenë çelësi nëse Maqedonia do të bëjë një hap përpara drejt stabilitetit ose do të lejojmë që strukturat e UDBA-s përsëri të tërheqin këtë shtet në një rrugë të dyshimtë”, u shpreh Dimovski.
Nënkryetare e Kuvendit të Maqedonisë dhe deputete e LSDM-së, Renata Deskoska, theksoi se pret që zgjedhjet e 11 dhjetorit të jenë të lira dhe demokratike. Deskoska duke theksuar se ka ardhur koha që të përfundojë siç tha ajo, krimi në këtë shtet, shtoi se, “Për këtë qëllim kërkojmë zgjedhje më 11 dhjetor, zgjedhje në të cilat nuk guxojmë të votojmë me karta false të identitetit, nuk duhet të ketë presion dhe shantazhe të votuesve. Neve na nevojitet zgjedhje të cilat do të jenë të drejta dhe demokratike”.
Ndërkaq, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Rafiz Aliti, foli për gjërat e mira dhe dështimet që ka bërë Kuvendi i Maqedonisë. Ai theksoi dy gjëra të siç tha ai, të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë, “zyrtarizmin e Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
"Mendoj se Republikës së Maqedonisë i duhet një vizion tjetër. I duhet të rrugëtojë rrugën tjetër e cila është ardhmëria e Maqedonisë. Ajo rrugë është zgjedhja e problemeve me të cilat ballafaqohet Maqedonia. Ato probleme janë të shumta. Qytetarët presin që Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së”, tha Aliti, duke përmendur se Kuvendi nuk arriti të shpjegojë plotësisht çështjen e përgjimeve të paligjshme dhe rastin “Monstra”.