Besar Ademi
28 Prill 2017•Përditësim: 28 Prill 2017
SHKUP (AA) – Policia sonte ka zbrazur ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ndërkohë në të gjitha hyrjet në ndërtesë ka forca të mëdha policore, raporton Anadolu Agency (AA).
Numri i protestuesve është zvogëluar dukshëm, ndërkohë protestuesit e mbetur vazhdojnë të qëndrojnë para ndërtesës së Kuvendit. Pjesëmarrësit në protestë të cilët me megafon i adresohen turmës, thonë se do të qëndrojnë aty për të mbrojtur siç thonë ato, “Maqedoninë unitare nga grusht shteti”.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se është duke kryer kontroll brenda hapësirave të Kuvendit për të parë nëse eventualisht dikush ka mbetur brenda.
Nga atje më herët njoftuan se në shtabin operativ të Ministrisë së Brendshme janë të pranishëm të gjithë drejtuesit, ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov dhe drejtues të tjerë.
Tensionet filluan rreth orës 18:00 kur kryesuesi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski ndërpreu seancën konstituive të 20-të, ndërsa deputetët nuk lëshuan sallën plenare të Kuvendit.
Më pas, deputeti më i vjetër në Kuvend, Ferid Muhiq, deklaroi se “me mbështetjen e shumicës parlamentare merr kryesimin e seancës” dhe në atë moment bëri thirrje që deputetët të votojnë për të kaluar në pikën e katërt të rendit të ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pas konstatimit të tij se ka mbështetjen e shumicës parlamentare zgjodhën kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferin.