Adam Abu-bashal
13 Qershor 2024•Përditësim: 21 Qershor 2024
Raportohet se 30 persona kanë vdekur për shkak të epidemisë së kolerës në Nigeri, shtet në Afrikën Perëndimore, transmeton Anadolu.
Sipas deklaratës së bërë nga Qendra Nigeriane për Kontrollin e Sëmundjeve (NCDC), 1.141 raste të kolerës janë regjistruar në 96 rajone të 30 shteteve të vendit. Është regjistruar se 30 persona kanë humbur jetën nga epidemia.
Autoritetet këshilluan qytetarët që ta ziejnë ujin përpara se ta pijnë dhe ta ruajnë në enë të pastra dhe të mbyllura. Vitin e kaluar, më shumë se 3 mijë raste të kolerës u regjistruan në Nigeri dhe më shumë se 100 persona humbën jetën.
Kolera, e shkaktuar nga bakteret "Vibrio" dhe e transmetuar përmes ushqimit dhe ujit, shkakton diarre dhe rrjedhimisht dehidratim në trup. Sëmundja mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet.
Në Nigeri, përveç mungesës së ujit të pastër, mungesa e ndërhyrjes mjekësore efektive rrit rrezikun e sëmundjeve dhe vdekjes. Sëmundjet epidemike si malaria, poliomieliti, tifoja dhe virusi i lisë së majmunit shfaqen shpesh në vend.