BALLKANI

Hapet zyra e re e Postës së Kosovës në Leposaviq

"Ky është një lajm i mirë edhe për banorët e komunës, por edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës", u shpreh Albin Kurti

Agim Sulaj  | 28.04.2025 - Përdıtësım : 28.04.2025
Hapet zyra e re e Postës së Kosovës në Leposaviq Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Prishtinë

Në qendër të qytetit, në Komunën e Leposaviqit, është hapur pika e re, e katërta në këtë komunë, e Postës së Kosovës, në objektin e rikthyer nën menaxhim të Postës së Kosovës, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, të pranishëm në këtë përurim zyrtar ishin Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, Kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Paci dhe Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci.

Kurti përgëzoi dhe falënderoi Postën, Ministrinë e Ekonomisë dhe Komunën e Leposaviqit për punën. Ai tha se hapja e zyrës së re në pronën e rikthyer, është bashkëdyzim i ligjshmërisë dhe cilësisë.

"Ata operatorët e pa licencuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës ku përveç dërgesave të zakonshme të postës mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviqit. Ky është një lajm i mirë edhe për banorët e komunës, por edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës", u shpreh kryeministri.

Më tej, ai theksoi se dikur Posta e Kosovës ka operuar me humbje, kurse tash me Kryeshefen e re, Nora Rracin, ajo operon me fitim, dhe përveç kësaj ka shtrirje territoriale gjithandej, anekënd komunave të Kosovës dhe përbrenda komunave, përfshirë edhe në zonat të cilat janë më larg qyteteve dhe qytezave.

"Posta e Kosovës nuk e shikon se ku ka fitim që të ketë zyre, por ku ka qytetarë që të ketë shërbim", tha kryeministri.

Ndërkaq, Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci foli për planet e ndërmarrjes që udhëheq, për të qenë sa më të pranishëm aty ku qytetarët kanë nevojë për shërbimet e operatorit publik, por edhe për rezultatet e zgjerimit të rrjetit të pikave të postës.

"Nëse flasim në krahasim me vitin e kaluar, kemi pasur një rritje prej 11 për qind të numrit të zyrave postare gjithandej Kosovës. Nëse flasim për katër komunat veriore të Kosovës, para dy vjetëve kemi pasur vetëm dy zyra në pikat kufitare, ndërsa po festojmë pikën 13-të, që besoj që është një rezultat shumë i madh duke qenë se e kemi arritur brenda dy vjetëve", theksoi Rraci.

Ministrja Rizvanolli, e cila u shpreh e lumtur me hapjen e kësaj pike sot, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë të mbështesë Postën në zgjerimin e rrjetit të saj dhe avancimin e shërbimeve që ofron.

Zyra e Kryeministrit njofton se deri më tani në gjithë territorin e Kosovës janë 157 zyra postare aktive në gjithë Kosovën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın