BALLKANI

Shqipëri, sërish protestë kundër rritjes së çmimeve

Qytetarët kanë protestuar në Tiranë kundër rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, karburantit dhe çmimeve të energjisë elektrike

Fatjon Cuka  | 19.10.2021 - Përdıtësım : 19.10.2021
Shqipëri, sërish protestë kundër rritjes së çmimeve ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Në Shqipëri është mbajtur sërish një protestë kundër rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, karburantit dhe çmimeve të energjisë elektrike, me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA)

Qindra persona kanë protestuar në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë para selisë së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ndërsa pjesë e protestës së organizuar me thirrjen e aktivistëve të shoqërisë civile ishin qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Me pankarta me mbishkrimet "Protestë për mbijetesë", "Rrogat si në Afrikë, çmimet si në Amerikë", "Pensionist pa pension" dhe "Ne importojmë bukë dhe eksportojmë shqiptarë”, protestuesit kanë kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Protestuesit gjithashtu kanë kërkuar edhe të mos rritet çmimi i energjisë elektrike për biznesin prodhues, që sipas tyre do sjellë kosto shtesë për produktet e konsumit në jetën e përditshme të qytetarëve.

Nga ana tjetër, aktivistët kanë theksuar se po përgatisin dhe propozime konkrete për ndryshime ligjore në lidhje me mbështetjen ndaj qytetarëve pas rritjes së çmimeve.

Kujtojmë se në muajit e fundit në Shqipëri është shënuar rritje e çmimeve në produktet ushqimore dhe në çmimet e karburantit.

Pas rritjes se çmimeve, organizata të ndryshme të shoqërisë civile dhe qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın