Rabia Ali
04 Prill 2023•Përditësim: 05 Prill 2023
Të paktën një person ka humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur kur një tren doli nga shinat në Holandë pasi u përplas me një vinç ndërtimi herët të martën, transmeton Anadolu.
Rreth 50 persona thuhet se ishin në trenin dykatësh, siç deklaruan shërbimet holandeze të urgjencës për mediat lokale. Shumë prej të plagosurve thuhet se janë në gjendje të rëndë.
Incidenti ndodhi në orën 03:25 të mëngjesit me orën lokale në fshatin Voorschoten pranë Hagës.
Dy vagonë të trenit të natës, i cili po udhëtonte nga qyteti Leiden për në Hagë, dolën nga shinat, ndërsa një nga vagonët e pasmë raportohet se u përfshi nga zjarri, por më vonë u shua, sipas agjencisë lokale të lajmeve ANP.
Kryeministri holandez Mark Rutte përmes një postimi në Twitter shprehu ngushëllimet e tij dhe tha se mendimet e tij ishin me familjet dhe me viktimat.
Zyrtarët e hekurudhës thanë se trenat janë anuluar nga Leiden në Hagë ndërsa gjithashtu janë ndikuar edhe trenat që qarkullojnë nga Amsterdami për në Bruksel dhe Paris.