Tufan Aktaş
19 Gusht 2020•Përditësim: 20 Gusht 2020
Këshilli i Paqes dhe Sigurisë i Bashkimit Afrikan pezulloi anëtarësinë e Malit pas puçit ushtarak, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë në llogarinë zyrtare në Twitter, Këshilli tha se anëtarësimi i Malit është pezulluar derisa të rivendoset rendi kushtetues.
Në deklaratë gjithashtu kërkohet lirimi i presidentit Ibrahim Boubacar Keita, kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë, të cilët u arrestuan me forcë nga ushtria.
Ndryshe, një grup ushtarësh që u rebeluan në garnizonin e rajonit Kati, 15 kilometra larg kryeqytetit Bamako, dhe që kishin rol të rëndësishëm në rrëzimin e ish-presidentit Amadou Toumani Toure në vitin 2012, dje lëvizën drejt kryeqytetit me automjete ushtarake.
Ndërtesat qeveritare dhe institucionet zyrtare u evakuuan, ndërsa disa ministra dhe ushtarë të rangut të lartë u arrestuan.
Keita u mor nga rezidenca e tij nga ushtarët pasdite dhe u dërgua në kazermat në Kati, ku filloi grushti i shtetit, dhe në mesnatë, nga televizioni shtetëror, ai njoftoi dorëheqjen.
Disa orë pas dorëheqjes së Keitas, puçistët njoftuan në televizion se zgjedhjet do të mbaheshin brenda një kohe të shkurtër, duke paralajmëruar një periudhë tranzicioni politik dhe civil.