Mustafa Deveci
03 Tetor 2019•Përditësim: 04 Tetor 2019
Bisedimet për qeverinë e koalicionit të zhvilluara mes kryemistrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe kreut të partisë "Izraeli Shtëpia Jonë", Avigdor Lieberman nuk kanë dhënë rezultate, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të bisedimeve për formimin e qeverisë së koalicionit Netanyahu ka zhvilluar një takim me ish-ministrin e Mbrojtjes Lieberman në Zyrën e kryeministrisë në Kudsin Perëndimor.
Lieberman i ka propozuar Netahyahut që të formojë qeverinë e koaliconit me Aleancën "Kaltër dhe Bardhë" nën udhëheqjen e Benny Gantz, ndërsa Netanyahu ka kërkuar që në qeverinë e koalicionit të marrin pjesë partitë e djathta nën udhëheqjen e vetë Lieberman-it.
Në një deklaratë pas bisedës nga partia Likud e Netanyahut u theksua se në takimin mes dy liderëve nuk është shënuar ndonjë pëparim lidhur me çështjen për formimin e qeverisë së koalicionit.
Sipas shtypit izraelit, lideri i partisë "Izraeli Shtëpia Jonë", Lieberman i cili ka 8 deputetë në Parlament ka rol kyç në bisedimet për koalicionin. Ai është kundër që në koalicion të përfshihen edhe partitë "Teurati i Bashkuar" dhe "Shas" të cilat përfaqësojnë hebrenjtë ultra ortodoksë.
Netanyahu insiston që dy partitë në fjalë të përfshihen në qeverinë e koalicionit që do të formohet.
Gantz, i cili udhëheq Aleancën "Kaltër dhe Bardhë" ka vendosur që të mos marrë pjesë në bisedimet e koalicionit që do të zhvillohen me Netanyahun ditën e mërkurë.
Në një deklaratë me shkrim të bërë më parë nga Aleanca "Kaltër dhe Bardhë" pretendohej se Netanyahu nuk ishte i gatshëm të ndajë pushtetin dhe se për këtë arsye Gantz ka vendosur që të mos takohet me të.
Presidenti izraelit Reuven Rivlin, më 25 shtator mandatin për formimin e qeverisë së koalicionit ia dha Netanyahut, partia e të cilit doli e dyta në zgjedhje dhe që ka marrë mbështetjen e tre partive të djathta që kanë hyrë në Parlament.
Në zgjedhjet e mbajtura më 17 shtator në Izrael e para doli Aleanca "Kaltër dhe Bardhë" me 33 deputetë, e cila u ndoq nga partia Likud e Netanyahut me 32 deputetë dhe e treta me 13 deputetë blloku i përbashkët i Listës Arabe e formuar nga partitë që përfaqësojnë palestinezët, shtetas të Izraelit.