Bilal Acar
30 Qershor 2020•Përditësim: 30 Qershor 2020
Numri i të vdekurve në Mbretërinë e Bashkuar si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19) ka shkuar në 43.575, me një rritje prej 25 viktimash në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, në 24 orët e fundit 815 raste kanë rezultuar pozitive me COVID-19, për ta çuar shfirën e përgjithshme të të infektuarve në 311.965.
Vendi ka kryer 93.881 teste të reja, me çka numri i përgjithshëm i testeve ka shkuar në 9.290.215.
Mbretëria e Bashkuar radhitet e para në Evropë për sa i përket numrit të vdekjeve nga virusi dhe e treta në botë pas SHBA-së dhe Brazilit.
Kufizimet që filluan në 23 mars në Britani, pjesërisht u lehtësuan më 13 maj, duke u hequr kufizimet e lëvizjes për stërvitje dhe për punëtorët që nuk kishin mundësi të punonin nga shtëpia, siç janë ata në sektorin e ndërtimtarisë dhe prodhimit.
Në fazën e dytë të lehtësimit u vendos që të hapen shkollat fillore dhe të fillojnë garat profesionale sportive që nga 1 qershori, si dhe të hapen të gjitha dyqanet me pakicë më 15 qershor.
Ndërkaq, siç është njoftuar, në fazën e tretë që do të fillojë nga 4 korriku, do të rihapen restorantet, baret, hotelet, parukeritë, kinematë, objektet e kultit, muzetë, bibliotekat dhe galeritë.