Nuri Aydın
25 dhjetor 2021•Përditësim: 27 dhjetor 2021
Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës së SHBA-së (NASA) njoftoi se ka lëshuar në hapësirë teleskopin më të madh dhe më të fuqishëm në botë, James Webb, transmeton Anadolu Agency (AA).
James Webb, lëshimi i të cilit është shtyrë shumë herë më parë me arsye të ndryshme, sot nëpërmjet një transmetimi të drejtpërdrejt u dërgua në hapësirë nga platforma në Guajanën Franceze në brigjet verilindore të Amerikës së Jugut.
Pritet që James Webb të vendoset pas 1 muaji në orbitën e cila ndodhet në një distancë rreth 1.6 milion kilometra nga Toka dhe në vitin 2022 të fillojë të mbledhë të dhënat dhe pamjet e para.
NASA njoftoi se teleskopi falë pasqyrës që mund të zgjatet 6.5 metra mund të mbledhë më shumë dritë dhe mund të vëzhgojë më shumë detaje.
Webb ka një teknologji me infra të kuqe dhe është produkt i teknologjisë së fundit ku janë shpenzuar 10 miliardë dollarë. Falë pajisjeve të përparuara optike teleskopi do të jetë në gjendje të ekzaminojë të gjitha fazat e historisë së universit nga sistemi diellor e deri tek galaktikat më të largëta të dukshme.
Gjithashtu Webb i cili është produkt i një punimi të përbashkët të NASA-s me agjencitë hapësinore të Evropës dhe Kanadasë, shihet si pasardhës i teleskopit hapësinor Hubble, observatori më i madh dhe më i fuqishëm shkencor i ndërtuar deri më tani.