Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar ka rifilluar seancat pas zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme të javës së kaluar që rezultuan me fitore dërrmuese për Partinë Konservatore, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbretëresha Elizabeth II dorëzoi programin e qeverisë së kryeministrit Boris Johnson në Shtëpinë e Lordëve, duke hapur zyrtarisht Parlamentin me fjalimin e saj.
Mbretëresha tha se përparësia e qeverisë është largimi i vendit nga Bashkimi Evropian (BE) më 31 janar të vitit 2020.
“Pas kësaj, ministrat e mi do të kërkojnë një marrëdhënie të ardhshme me Bashkimin Evropian bazuar në një marrëveshje të tregtisë së lirë nga e cila do të përfitojë e gjithë Mbretëria e Bashkuar. Ata po ashtu do të fillojnë negociatat tregtare me ekonomitë e tjera kryesore globale”, tha mbretëresha.
Fjalimi i saj përfshinte zotimet e politikave për krimin, shëndetin, mjedisin dhe Brexit-in. Po ashtu, duke përmendur një sistem të ri të bazuar në pikën e imigracionit, mbretëresha tha se sistemi i ri që do të zbatohet do të tërheqë punëtorë të talentuar.
“Një sistem modern, i drejtë dhe i bazuar në pikat e imigracionit do të mirëpresë punëtorë të talentuar nga e gjithë bota për të kontribuar në ekonominë, komunitetet dhe shërbimet publike të Mbretërisë së Bashkuar”, tha ajo.
Programi qeveritar është angazhuar të shpenzojë një shtesë prej 33 miliardë funtave çdo vit në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit të vendit (NHS) deri në vitet 2023-2024.
Qeveria e re po ashtu premtoi “legjislacionin e spiunazhit, i cili do t’i sigurojë shërbimet e sigurisë dhe zbatimit të ligjit mjetet që u duhen për të prishur aktivitetet armiqësore të shtetit”.
Marrëveshjet e Brexit-it
Qeveria do të angazhohet të mbrojë të drejtat e BE-së për punësimin pas Brexit-it. Sipas mbretëreshës, ato nuk do të jenë pjesë e marrëveshjes së tërheqjes, por do të përcaktohen në legjislacion të veçantë.
Qeveria, siç u bë e ditur në fjalimin e mbretëreshës, ka paraqitur mbi 30 projektligje, një e katërta e të cilëve kishin të bëjnë me marrëveshjet për tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.
Marrëveshja e rishqyrtuar e tërheqjes së kryeministrit Johnson, që u dakordua me BE-në para zgjedhjeve, nesër do të kalojë për votim në Dhomën e Ulët dhe duket se do të ndryshojë për të ndaluar çdo zgjatje në periudhën e tranzicionit, e cila do të zgjasë midis 31 janarit dhe 31 dhjetorit të vitit 2020.
Siç është dakorduar, periudha e tranzicionit mund të zgjatet nën një projektligj përtej vitit 2020.
Fjalimi i mbretëreshës është një hapje zyrtare ceremoniale e të dy dhomave të parlamentit, ndërsa fjalimi i sotëm ishte i dyti në vitin 2019.
Mbretëria e Bashkuar vendosi të largohet nga BE-ja me një referendum të mbajtur në qershor të vitit 2016.