Bekim Laci
09 Korrik 2016•Përditësim: 09 Korrik 2016
SHKUP (AA) - Republika e Maqedonisë është tërësisht e përgatitur për integrim në NATO dhe të ndërmarrë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë për të kontribuuar drejt një sigurie dhe stabiliteti të Ballkanit dhe rajonit euro – atlantik, ishte porosia e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Zoran Jolevski në fjalimin e tij në takimin e sotëm kushtuar Platformës për Ndërveprim, në nivel të ministrave të Mbrojtjes, që po mbahet në Samitin e NATO-s në Varshavë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton kabineti i ministrit Jolevski, ai ka pohuar se investimi në NATO do të përforcojë paqen dhe stabilitetin, ndërkohë që ushtarët e Maqedonisë të cilët ka vite që marrin pjesë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, presin një gjë të tille pasi e meritojnë anëtarësimin.
Në adresimin e tij, Jolevski ka thënë mes tjerash se sfidat e tanishme dhe të ardhshme të sigurisë globale flasin për nevojat për forca dhe kapacitete ndërveprimi.
“Menaxhmenti ndërkombëtar i krizave, koordinimi dhe përforcimi i mekanizmave për përdorimin e resurseve të armatave nga vendet e NATO-s dhe partnerëve në përballje me krizat e përmasave të mëdha janë mjaft të rëndësishme. Nga shtatori, Maqedonia do të jetë vend pritës i Komandës së Forcave Mjekësore Ballkanike, e cila do të mundësojë koordinim në përdorimin e resurseve mjekësore në Evropën Juglindore”, ka theksuar Jolevski.
Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë samitit, Jolevski ka takuar homologët e tij nga Italia, Sllovakia, Lituania, Hungaria, Çekia, Letonia dhe Sllovenia.