Ekip
12 Mars 2018•Përditësim: 13 Mars 2018
ATHINË (AA) - Qeveria e Greqisë ka pezulluar për një kohë të pacaktuar kampionatin e futbollit, një ditë pasi pronari i PAOK-ut të Selanikut, Ivan Savvidis me revole u fut në fushë pas golit të diskutueshëm në fund të ndeshjes kundër AEK-ut në Superligën greke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Sportit Giorgos Vasileiadis të hënën pas takimit me kryeministrin e Greqisë Alexis Tsipras deklaroi se kampionati është pezulluar dhe se gara e ligës nuk do të vazhdojë "nëse nuk gjendet kornizë e re, e qartë rreth së cilës të gjithë janë dakord, në mënyrë që të vazhdojë tutje".
Incidenti ndodhi në ndeshjen e xhiros së 25-të të kamoionatit grek në mes të skuadrave PAOK dhe AEK, të cilat garojnë për titullin e kampionit. Loja u zhvillua në Selanik ndërsa kaosi ndodhi pas eleminimit të golit për ekipin vendas.
Deri në minutën e 90-të nuk pati gola, atëherë Fernando Varela shënoi gol për PAOK-un, të cilin arbitri kryesor e anuloi pas konsultimit me asistentin.
Në fushë vrapoi presidenti i PAOK-ut Ivan Savvidis, i cili, sipas fotografive të publikuara, mbante pistoletë në bel. Më pas arbitri ndërpreu ndeshjen.
AEK aktualisht kryeson tabelën me 54 pikë e ndjekur nga PAOK me 52 pikë dhe një ndeshje më pak.