Dejan Maksimoviç
02 Nëntor 2018•Përditësim: 03 Nëntor 2018
SYDNEY (AA) - Sprinteri më i mirë i të gjitha kohërave, Usain Bolt (32) është larguar nga klubit futbollistik Central Coast Mariners, ku qëndroi për një periudhë testuese tetë javëshe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Xhamajkani u bashkua me klubin australian në gusht të këtij viti, në një tentativë për të nënshkruar kontratën e parë profesionale në futboll, pasi paraprakisht në vitin 2017 i tha lamtumirë atletikës.
Bolt ishte i kënaqur me stërvitjet, megjithatë nga Mariners njoftuan se nuk është gjetur "një zgjidhje komerciale" që ai të mbetet në klub.
Javën që shkoi, Mariners thanë se kanë përgatitur një draft version të marrëveshjes e cila ka dy segmente, atë sportiv dhe komercial, për të shtuar se nënshkrimi i marrëveshjes do të varet nga një palë e tretë.
"Përkundër takimeve me disa partnerë potencialë, nuk është arritur një marrëveshje”, thuhet në njoftimin e sotëm.
Usain Bolt është pronar i tetë medaljeve të arta olimpike dhe 11 të tjera në kampionatet botërore. Ai mban rekordet botërore në 100 metra (9.58 sekonda) dhe në 200 metra (19.19 sekonda).