Agim Sulaj
30 Gusht 2021•Përditësim: 30 Gusht 2021
Në Kosovë ka mbërritur grupi i parë me 111 shtetas të Afganistanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ata janë pritur nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësues tjerë të institucioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Presidentja Osmani tha se kanë dalë t’i presin shtetasit afganë të cilët ishin punëtorë të aleatëve të NATO-s dhe “të cilët kanë nevojë për mbrojtje më shumë sesa kurrë”.
Ajo tha se kosovarët kanë qenë dikur vetë viktima të një pushteti gjenocidal dhe e kuptojnë mirë se “çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia jote”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është nder për të që ka mundësi t’u ndihmojë refugjatëve afganë të cilët “sikurse çdo qytetar në botë, meritojnë lirinë”.
Duke falënderuar NATO-n dhe SHBA-në për bashkëpunimin për t’i sjellë ata në Kosovë, Kurti tha se para më shumë se 22 viteve, NATO bëri ndërhyrje humanitare në Kosovë për ta ndërprerë gjenocidin nga Serbia, “ndërsa ne tash krah për krah me NATO-n ndihmojmë refugjatë që kanë nevojë për mbështetjen tonë”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se në grupin e të ardhurve nga Afganistani ka burra, gra dhe fëmijë të moshave të ndryshme. Ai tha se ata do të vendosen në ish-kampin e Bechtel-Enka i cili ndodhet përballë bazës ushtarake amerikane Bondsteel në qytetin e Ferizajt.
Sveçla bëri të ditur se shtetasit afganë menjëherë pas mbërritjes në Kosovë, do të vaksinohen dhe më pas transportohen në lokacionin e paracaktuar.
Po ashtu, ai njoftoi se fluturimet e ardhshme me qytetarë afganë drejt Kosovës pritet të ndodhin qysh nesër, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
Autoritetet kosovare pranuan më 15 gusht kërkesën e SHBA-së për të siguruar strehim të përkohshëm për civilët afganë të cilit kishin punuar me forcat amerikane derisa të përfundojë procedura për largimin e tyre në SHBA.
Në Kosovë gjithsej pritet të vijnë rreth 2 mijë shtetas të Afganistanit.