Bakir Tiro
23 Dhjetor 2015•Përditësim: 24 Dhjetor 2015
SHKUP (AA) - Federata Ndërkombëtare e Skijimit (FIS) do të ndalojë përdorimin e dronëve, apo mjeteve të tjera fluturuese të vogla pa pilot me kamerë gjatë Kupës së Botës, raporton Anadolu Agency (AA).
Krerët e Federatës Ndërkombëtare të Skijimit vendosën këtë masë pasi që në garën e djeshme në disiplinën e slalomit u shmangë një tragjedi, kur një dron ra në stazën pranë skijatorit austriak, Marcelo Hirscher.
"Mjetet ajrore pa pilot do të ndalohen në garat për shkak se janë të këqija për sigurinë e garuesve dhe publikut", tha Marcus Valdner, Drejtor i FIS-it.
Hirscher nuk u lëndua gjatë këtij incidenti. Ai vazhdoi garën dhe pavarësisht shqetësimit përfundoi në vendin e dytë.
Nga kompania e cila drejtonte dronin, agjencia e marketingut "Infront", në një njoftim të shkurtër për shtyp deklaruan se "janë duke shqyrtuar rrethanat që lidhen me rrëzimin e dronëve".