Treni i nisur nga Beogradi nuk hyn në Kosovë
“Kthimi mbrapa është veprim i duhur dhe hyrja e tij në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës nuk do të lejohet", theksoi Mustafa
Prishtinë
PRISHTINË (AA)-Treni i nisur nga Beogradi për në Mitrovicë nuk hyn në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Lidhur me rastin, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka mbajtur një konferencë për media ku ka shprehur shqetësimin në përballjen e kësaj situate, të cilën e vlerësoi si të panevojshme të krijuar nga Serbia, “në kuadër të lojërave të saj të pandershme”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës, autoritetet rregullative të hekurudhave dhe autoritetet e tjera përgjegjëse janë angazhuar gjatë gjithë këtyre ditëve jo vetëm sot që në mënyrë intensive ta adresojnë të gjitha aspektet ligjore, procedurale, teknike dhe operative, që të trajtohet në mënyrë institucionale dhe me vendosmëri këtë çështje”, u shpreh Mustafa.
Ai vuri në dukje se në konsultime me kryeparlamentarin Veseli dhe presidentin Thaçi kanë marrë të gjitha masat për ta informuar faktorin ndërkombëtar për këtë situatë dhe se kanë marrë masat adekuate në përputhje me ligjet dhe kushtetutën që të adresohet ky problem.
“Kthimi mbrapa është veprim i duhur dhe hyrja e tij në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës nuk do të lejohet, ose në rast se do të hynte do të trajtohej në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës”, theksoi Mustafa.
Ai u shpreh se Kosova është plotësisht e përkushtuar në lëvizjen e lirë të qytetarëve, të realizimit të marrëveshjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve, por sipas tij “nuk do të lejohen provokimet e tilla të cilat kanë për synim final kthimin e Kosovës dhe të rajonit në vitet e errëta të konflikteve të paparashikueshme.”
Së fundi theksoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës që në bashkëpunim me Presidencën dhe Kuvendin të jenë të angazhuar për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e territorit të Kosovës dhe falënderoi qytetarët dhe misionet ndërkombëtare për përkrahjen në përballimin e kësaj situate.
Ndryshe, sot me rastin e prezantimit të linjës hekurudhore Beograd – Mitrovicë nga e ashtuquajtura Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovë, e cila lansohet për herë të parë që nga viti 1999, treni është nisur nga Beogradi dhe pasi që është ndaluar për më shumë se një orë në Rashkë, rreth 10 kilometra larg kufirit Kosovë-Serbi në Jarinë, nuk është lejuar të hyjë në kufi dhe është kthyer në Beograd.
"Nuk është hasur në asnjë mjet shpërthyes përgjatë hekurudhës"
Në një njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se si institucion i zbatimit të ligjit lidhur me paralajmërimet e qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet duke respektuar Kushtetutën.
“Referuar situatës së krijuar rreth qarkullimit të trenit, ka pasur deklarime dhe publikime të informacioneve të ndryshme në portalet dhe mediumet serbe, se është vendosur mjet shpërthyes (është minuar hekurudha) në territorin e RKS-së, ku për këtë Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante policore duke përfshirë edhe mjetet dhe pajisjet logjistike, ka ndërmarrë veprimet e saj me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të krijuara, mirëpo nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e RKS-së”, thuhet në njoftim nga PK.
Policia e Kosovës gjithashtu mohon fuqishëm të gjitha deklarimet e zyrtarëve politik serb dhe mediumeve serbe, të cilat kanë deklaruar dhe publikuar informacione se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve ligjore dhe kushtetuese. PK-ja falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës, që nuk kanë rënë pre e dezinformacioneve të ndryshme lidhur me këtë rast, duke treguar pjekuri dhe maturi qytetare”, bëhet e ditur së fundi nga PK.
Ndërkaq, lidhur me mos lejimin e hyrjes së trenit nga Beogradi në Mitrovicë, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në një postim në rrjetet sociale, Veseli ka shkruar se “Institucionet e Kosovës, duke respektuar urdhrin e Presidentit Hashim Thaçi për ndalimin e hyrjes së trenit serb në Kosovë, treguan vendosmërinë për ruajtjen e sovranitetit shtetëror. Kjo absolutisht nuk nënkupton se ne jemi kundër lëvizjes së lirë. Por, ky tren, i mbuluar me mbishkrime nacionaliste serbe, kishte për qëllim provokimin e radhës nga Beogradi. Institucionet respektuan përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.