Abbas: Vendimi i Trumpit minon rolin e SHBA-ve si ndërmjetës të paqes
“Vendimi i Trumpit paraqet shpalljen e tërheqjes së Washingtonit nga procesi paqësor”, tha Abbas
Ramallah
RAMALLAH (AA) – Presidenti i Palestinës Mahmoud Abbas deklaroi se vendimi i presidentit amerikan Donald Trump, me të cilin Jerusalemin zyrtarisht e njohu si kryeqytet të Izraelit, është inkurajim për pushtimin dhe kolonizimin, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai theksoi se ky vendim do të thotë se edhe SHBA-të tërhiqen nga procesi paqësor në Lindjen e Mesme.
“Vendimi i Trumpit paraqet shpalljen e tërheqjes së Washingtonit nga procesi paqësor”, tha Abbas.
Ai shtoi se vendimi i Trumpit në masë të konsiderueshme minon rolin e SHBA-ve si ndërmjetës të paqes.
“Jerusalemi është kryeqyteti i përjetshëm i shtetit të Palestinës. Është rezistent ndaj çdo iniciative për të ndryshuar”, tha Abbas.
Nga ana tjetër, në rrugët e Rripit të Gazës mbahen protesta kundër vendimit të presidentit amerikan me të cilin Jerusalemin zyrtarisht e njohu si kryeqytet të Izraelit.
Protestat mbahen me thirrje të Hamasit, ndërsa protestuesit mbajnë flamuj të Palestinës si dhe pankarta në shenjë mbështetjeje të Jerusalemit. Qindra demonstrantë dënuan vendimin e Trumpit mbi njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem.
Rikujtojmë se Trump deklaroi se ka ardhur koha që Jerusalemi zyrtarisht të njihet si kryeqytet i Izraelit. Ai theksoi se tashmë ka urdhëruar administratën amerikane që të fillojë përgatitjet me qëllim që ambasada e SHBA-ve të transferohet në Jerusalem.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.