"Kompanitë turke do të vazhdojnë të investojnë për mirëqenien e Shqipërisë”
Të pranishëm në këtë takim ishin zëvendësministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, dhe kryetari i Bordit të ATTSO, Seyhan Pencablıgi
Tiranë
TIRANË (AA) - Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të Shqipërisë dhe të institucioneve turke në vend, realizoi një takim në kuadër të 4-vjetorit të themelimit të saj, ndërsa u prezantuan edhe rezultatet e anketimit me anëtarët e dhomës, lidhur me sfidat dhe mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Të pranishëm në këtë takim ishin zëvendësministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i Bordit të ATTSO, Seyhan Pencablıgil, përfaqësues nga shoqatat e biznesit dhe anëtarë të dhomës.
Në fjalën e saj përshëndetje në aktivitet, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, shprehu falënderimet dhe mbështetjen për investimet e kompanive turke në Shqipëri. Mesi iu përgjigj edhe pyetjeve të anëtarëve të ATTSO, lidhur me problematikat që hasin kompanitë në aktivitetit të tyre.
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük, për anketimin e bërë me pjesëmarrjen e shumë kompanive turke që operojnë në Shqipëri në sektorë të ndryshëm, tha se rezultati më i rëndësishëm është nxjerrja në pah e shtimit të vendeve të reja të punës.
Sipas ambasadorit Yörük, kompanitë turke do të vazhdojnë të investojnë për mirëqenien e Shqipërisë. “Marrëdhëniet ekonomike dypalëshe midis Shqipërisë dhe Turqisë vijnë duke u zhvilluar dhe numri është i madh dhe është serioz. Kompanitë turke janë duke shpërndarë edhe eksperiencën e tyre ndër vite të cilat nuk mund të kenë një vlerësim monetar, por që kanë ndikim thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe tregtar të Shqipërisë”, deklaroi Yörük.
Duke folur për marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, ambasadori Yörük u shpreh se në këtë sektor vihet re një zhvillim me hapa të shpejtë. Përsa i përket partneritetit strategjik mes dy vendeve, ambasadori tha se synohet hapja negociatave për krijimin e një mekanizmi bashkëpunues për problematikat e kompanive të të dyja shteteve.
Ndërsa kryetari i Bordit Drejtues të ATTSO, Seyhan Pencablıgil, tha se “Ne si dhomë dëshirojmë të theksojmë se e mbështetëm fort zhvillimin e marrëdhënieve ekomomike tregtare midis dy vendeve. Me ketë qellim zhvillojmë aktivitete të shumta që ti tregojmë investitorëve turq potencialin ekonomik dhe tregtar që ka Shqipëria. Ne mbështesim politikat e ndjekura për zhvillimin ekonomik dhe përpjekjen për qëndrueshmërinë ekonomike në vend”, tha Pencablıgil.
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Albana Shkurta, u shpreh se për Shqipërinë Turqia është një nga partnerët kryesorë. “Turqia është një nga vendet që ka kontribuar në pjesën më të madhe me investimet e huaja direkte në vend dhe në sektorët nga më të rëndësishëm në ekonomi dhe një nga vendet partnere kryesore sa i përket tregtisë mes dy vendeve”, tha Shkurta.
Përsa i përket mjedisit të biznesit, Shkurta tha se një nga reformat e ndërmarra nga Qeveria e Shqipërisë është reforma e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, ku sipas saj ka filluar procesi i implementimit të pasurimit të shërbimeve të cilat për qytetarët dhe bizneset do të jenë të aksesueshme online.
Sipas anketimit, ajo që ka qenë pozitive për kompanitë, faktori më pozitiv ka qenë furnizimi me energji, ndërsa faktori negativ është performanca e gjykatave. Ndërkohë, 21 për qind e të anketuarve e konsiderojnë klimën e ekonomisë shqiptare për vitin 2018 si të pafavorshme, 56 për qind neutrale dhe 23 për qind e konsiderojnë si të favorshme.