Mogherini: Jemi të shqetësuar për deklaratën e Trumpit për Jerusalemin
Në një deklaratë, duke vënë në dukje se nuk ka ndryshuar qëndrimi i BE-së, Mogherini, ka theksuar se duhet të gjendet një zgjidhje për të përmbushur pritjet e të dyja palëve nëpërmjet negociatave
Bruksel
BRUKSEL (AA) - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ka deklaruar se janë shumë të shqetësuar për shkak të deklaratës së bërë nga presidenti amerikan, Donald Trump, për "njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, duke vënë në dukje se nuk ka ndryshuar qëndrimi i BE-së, Mogherini, ka theksuar se duhet të gjendet një zgjidhje për të përmbushur pritjet e të dyja palëve nëpërmjet negociatave dhe e cila të sigurojë që Jerusalemi në të ardhmen të jetë kryeqyteti i dy shteteve.
Më tej Mogherini ka nënvizuar se BE-ja për pengimin e tensioneve u bën thirrje të gjitha palëve në rajon për maturi dhe se duhet të përqendrohen në krijimin e një mjedisi për nisjen e negociatave direkte.
"BE-ja do të ndjekë rezolutat e KS të OKB-së"
"BE-ja dhe vendet anëtare do të vazhdojnë të respektojnë konsensusin ndërkombëtar të arritur në kuadër të rezolutës nr 478 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) mbi Jerusalemin dhe deri në përcaktimin e statusit të Jerusalemit nuk do të ndryshojë vendet e përfaqësive të tyre diplomatike", ka vlerësuar Mogherini.
Ndër të tjera Mogherini ka bërë të ditur se BE-ja do të jetë në kontakt me Izraelin, Palestinën dhe aleatët dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë procesin e paqes.
"BE është shumë i shqetësuar për deklaratën e bërë sot nga presidenti amerikan, Donald Trump, për Jerusalemin si dhe për reflektimet e mundshme të kësaj(deklarate) në procesin e paqes", ka theksuar Mogherini. "Zgjidhja me dy shtete është rruga e vetme e vërtetë për të arritur sigurinë dhe paqen e përhershme që meritojnë izraelitët dhe palestinezët", është shprehur më tej Mogherini, duke vënë në dukje se BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e fortë për zgjidhjen me dy shtete.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.