Çavuşoğlu: FETO ka një strukturim serioz në Shqipëri
Sipas shefit të diplomacisë turke, është marrë vendimi që marrëdhëniet Shqipëri-Turqi të rriten në nivel të partneritetit strategjik
Ankara
ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij nga Shqipëria Ditmir Bushati, në pallatin zyrtar të ministrisë, ka shprehur falënderimet e tij për qeverinë dhe popullin e Shqipërisë për solidarizimin e treguar pas tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi më 15 korrik, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu u shpreh se Organizata Terroriste FETO ka një strukturim serioz në Shqipëri. Sa i përket kësaj, siç tha Çavuşoğlu, dy vendet kanë bashkëpunim të mirë. Ai njoftoi se gjatë takimit kanë vlerësuar se çfarë hapash do të ndërmerren dhe se në kuadër të kësaj ka ndarë disa informacione me homologun e tij.
Sipas shefit të diplomacisë turke, është marrë vendimi që marrëdhëniet Shqipëri-Turqi të rriten në nivel të partneritetit strategjik. Ai tha se ky proces do të përfundohet në kohë të shkurtër.
Krahas marrëdhënieve dypalëshe politike, vazhdoi më tej Çavuşoğlu, edhe marrëdhëniet ekonomike janë shumë të fuqishme. Ai theksoi se është e nevojshme që vëllimi aktual i tregtisë prej 300 milionë dollarësh mes dy vendeve të rritet edhe më tej.
Duke vënë në pah se interesimi i afaristëve turq për Shqipërinë rritet çdo ditë e më shumë, Çavuşoğlu bëri të ditur se gjatë takimit me homologun shqiptar është diskutuar rreth mundësive për investim dhe përvojat që mund të ndahen me Shqipërinë.
Çavuşoğlu gjithashtu u shpreh se së bashku me Shqipërinë japin përpjekje që Kosova të njihet nga më shumë shtete.
Operacioni në Mosul është duke vazhduar me sukses
Gjatë konferencës për media, Çavuşoğlu foli edhe për operacionin në Mosul pas pyetjeve të gazetarëve, ku theksoi se operacioni në Mosul deri më tani është duke vazhduar me sukses. Ai tha se është e nevojshme që të mënjanohen faktorët që do të mund të shkaktonin konflikte sektare pas operacionit, në të cilin marrin pjesë edhe avionë turq.
"Qyteti i Rakës duhet të merret nga forcat lokale"
Çavuşoğlu, deklaroi se qyteti i Rakës në Siri duhet të merret nga pushtimi i DEASH-it me anë të forcave lokale sa më shpejtë të jetë e mundur.
"Nëse ju konsideroni se PKK dhe YPG janë forca lokale, ne nuk mund të themi diçka të tillë”, tha Çavuşoğlu.
YPG është krahu i armatosur i PYD-së, që Turqia e konsideron degën siriane të organizatës terroriste PKK, e cila gjendet në listën e Turqisë, SHBA-ve dhe BE-së si organizatë terroriste.
Çavuşoğlu tha se PKK/YPG nuk mund të konsiderohen forca lokale në Raka ashtu siç nuk mund të konsiderohen edhe milicitë shiite irakiane në operacionin për të marrë Mosulin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.